Pas fitores 2-0 ndaj Milsamit dy ditë më parë në Kishinjev, kampionët e Skënderbeut, konsiderohen si të kualifikuar për në fazën e “play-off”-it edhe nga faqja zyrtare e UEFA-s në internet. Krahas Skënderbeut, në komentin e saj UEFA e beson të kualifikuar edhe skuadrën franceze të Monakos, e cila ka arritur të fitojë 3-1 në fushën e zviceranëve të Jang Bojsit, pasi rezultatet e ndeshjeve të tjera të turit të tretë të Champions Ligës, janë të diskutueshme.
Dy ditë pasi të vulosë zyrtarisht suksesin në “Elbasan Arena” ndaj moldavëve të Milsamit, që natyrisht nuk do të vijnë për turizëm në Shqipëri, por gjithsesi të ndërgjegjshëm për epërsinë e kampionëve tanë, Skënderbeu do të mësojë edhe emrin e kundërshtarit të tij të radhës për fazën e “play-off”-it, i cili mund të jetë prej nëntë skuadrave, që do të kualifikohen nga turi i tretë.
Në këtë mënyrë të premten e 7 gushtit, në orën 12:00 në Nion të Zvicrës do të hidhet edhe shorti i fazës së “play-off”-it, ku goglat do të përcaktojnë edhe skuadrën kundërshtare të radhës për presidentin Takaj dhe trajnerin Mirel Josa. Këto ndeshje janë planifikuar të luhen më 18-19 dhe 25-26 gusht.
Por, pavarësisht kundërshtarit të radhës të cilin kampionët do të dinë ta sfidojnë, pse jo edhe të vazhdojnë ëndrrën e tyre për më tej, Skënderbeu e ka bërë hapin e tij historik, do të jetë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ndeshjet në grupe të Europa Ligës dhe aventura e tij evropiane do të vazhdojë e pakta deri në fund të këtij viti.
Në fund të fundit me këtë ecuri dhe me këtë paraqitje të shkëlqyer të Skënderbeut, korçarët kanë të drejtë të shpresojnë edhe grupet e Champions Ligë, atje ku edhe paraja siç thotë populli: “Është lumë”.
https://www.facebook.com/eKuqeOfficial/photos/a.1466785013622016.1073741828.1462471014053416/1467293926904458/?type=1&theater