Pas Marko Radas, edhe Kristi Vangjeli është kthyer të bëhet pjesë e skuadrës së Skënderbeut për sezonin në vazhdim. Presidenti i korçarëve, Ardian Takaj, ka komunikuar personalisht me mbrojtësin në Selanik, duke e bindur që të jetë pjesë e ekipit për sezonin e ardhshëm dhe të shtyjë edhe pak kthimin për të jetuar në Greqi, ku ka familjen.
Vangjeli, i cili ishte ndër të parët që kishte deklaruar në fund të sezonit të shkuar se për arsye familjare nuk do të vazhdonte më te Skënderbeut, ka ndërruar mendje dhe pasi ka gjetur akordin me korçarët, ka udhëtuar menjëherë drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar skuadrës.
Sipas “Korça Sot”, bashkë me Radas ai ka filluar përgatitjet fizike për t’u kthyer sa më shpejt në formën më të mirë që të vihet në shërbim të Shehit me pjesën tjetër të skuadrës.